KEQ as. bised.

  • 1. Egërsi, sjellje e ashpër, dhunë; kund. të mirët. Me të keq me forcë, me dhunë, me të egër.
  • 2. Tmerr, datë. I shtiu (i kalli) të keqtë.

KEQ mb.

  • 1. Që ka veti a tipare jo të mira, që ka cilësi të tilla, të cilat nuk i përmbushin kërkesat a nevojat (për sende, mallra etj.); që nuk është bërë ashtu siç duhet (për një punë a prodhim); që ka të meta ose është bërë me shumë të meta; që nuk ka vlerë ose që ka vlerë shumë të ulët; që nuk ia ka arritur qëllimit; i dobët (për një interpretim, trajtim etj.); jo i mirë, i lig; kund. i mirë. Mall (stof) i keq. Rrugë e keqe. Shkrim i keq. Përcjellës i keq (i elektricitetit). Punë e keqe. Këpucë të këqija. Notë e keqe. Zakon i keq. Organizim i keq. Përdorim (trajtim) i keq. Doli i keq (prodhimi).
  • 2. Që nuk është i shijshëm a i këndshëm, që nuk të kënaq kur e ha, kur e pi ose kur e nuhat; kund. i mirë. Gjellë e keqe. Mollë e keqe. Verë e keqe. Kafe e keqe. Erë e keqe.
  • 3. Që sjell ose që shkakton dëm a fatkeqësi, i dëmshëm (për një veprim, punë etj.); që i sjell mundim e vuajtje dikujt, që krijon për të një gjendje të vështirë; që dëmton bujqësinë, prodhimin, ekonominë; që ka prodhim të pakët bujqësor; që bën të lindin ndjenja jo të këndshme, që të brengos, të pikëllon, të mërzit a të lëndon, që ndjell sëmundje ose fatkeqësi; i rëndë, i vështirë; i lig; kund. i mirë. Veprime të këqija. Lajm i keq. Përvojë e keqe. Pasojë e keqe. Vit i keq. Ditë (çaste) të këqija. Gjendje e keqe shpirtërore (ekonomike). Fat (ogur) i keq. Shenjë e keqe. Syri i keq sy a vështrim i dikujt, që, sipas paragjykimeve, gjoja sjell ndonjë sëmundje ose fatkeqësi. Tumor i keq. mjek. tumor që është vështirë të shërohet, kancer.
  • 4. Që nuk është i rregullt, që nuk ka tipare tërheqëse; i shëmtuar; kund. i mirë. Me trup të keq. Me fytyrë të keqe.
  • 5. Që bën punë të dobët ose nxjerr prodhime me cilësi të ulët, që nuk ka aftësi a përvojë në punë; kund. i mirë. Shkrimtar (piktor, artist) i keq. Lojtar i keq. Organizator i keq.
  • 6. Që sillet a vepron në mënyrë jo të moralshme, që i mungon sjellja dhe edukata; që nuk është në përputhje me normat morale të vendosura nga shoqëria; që synon t'u bëjë dëm të tjerëve; që të bën ta urresh e ta përbuzësh për sjelljen dhe veprimtarinë e tij; që nuk ka ndjenja të mira, jo i pastër, i lig; kund. i mirë. Njeri i keq. Grua e keqe. Shoqëri e keqe. Fjalë e keqe. Sjellje e keqe. Ka mendje të keqe (të ligë). Ka zemër të keqe. Kishte nisur rrugë të keqe.
  • 7. I vrenjtur, me re e me shi, me erë etj. (për kohën); kund. i mirë. Kohë e keqe. Mot (dimër) i keq.
  • 8. Që nuk është i mbarë, që nuk shënon përparim a s'ka fryt; kund. i mirë. Zhvillim i keq. Fillim i keq.
  • 9. mjek. Përdoret si gjymtyrë e dytë në disa emërtime të përbëra popullore që shënojnë sëmundje të rënda e ngjitëse; i zi. Barku i keq. Fruthi i keq (i zi). Fyti i keq difteria. Gryka e keqe. Kolla e keqe. Koqe e keqe.
  • 10. Që ka një cilësi të shkallës së lartë. Trim i keq trim i fortë.
  • 11. Përd. em. sipas kuptimeve 5, 6 të mbiemrit.
  • Për fat të keq shih te FAT,~I. Farë e keqe (e ligë) shar. i thuhet dikujt që ka prejardhje të keqe shoqërore ose që është i keq si njeri. Gojët (gjuhët) e këqija (e liga) shih te GOJ/Ë,~A 7. Pa gjë të keqe në mënyrë të çiltër, me çiltëri, pa të keq. Si pa gjë të keqe pa i bërë përshtypje; pa e prishur gjakun fare, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, me lehtësinë më të madhe, pa pikë përgjegjësie. Ishte me orë të këqija (të liga) shih tek OR/Ë,~A II. Në vend të keq (të lig) euf. shih te LIG (i), ~Ë (e). E ka llapën (gjuhën, gojën) të keqe thotë fjalë të këqija, është gojështhurur. Ka mendje të keqe (të ligë) mendon për keq; mendon të bëjë ndonjë veprim që mund të sjellë dëm a fatkeqësi. E ka (e sheh, e shikon, e vështron) me sy të keq (të lig, të shtrembër) shih te SY,~RI. E ka thuan të keq shih te THUA, THOI. Janë parë me hënë të keqe shih te HËN/Ë,~A. Bar i keq (i lig) bot. shih te BAR,~I I. Ferrë e keqe bot. shih te FERR/Ë,~ A. Shkoza e keqe bot. shkozëzeza.

KEQ ndajf.

  • 1. Me cilësi të dobët ose shumë të dobët, pa i kushtuar vëmendje cilësisë; jo ashtu si duhet; të meta, pa ia arritur plotësisht qëllimit; pa plotësuar kërkesat a nevojat; jo në përputhje me diçka; jo në rregull, jo drejt, në mënyrë të gabuar; kund. mirë. Punon keq. Gatuan keq. Luan (kërcen) keq. Ecën keq (puna). E përdor (e trajton) keq. Shkon keq në mësime. Sheh keq. Vishet keq. I rrinë keq rrobat.
  • 2. Në mënyrë të papërshtatshme e të pahijshme, duke krijuar një gjendje të vështirë, jo ashtu siç e do arsyeja e morali i shëndoshë, pa urtësi; në mënyrë jo të rregullt, keqas; kund. mirë. U soll (veproi) keq. Fliste keq për dikë. Rri keq. Gjykon keq.
  • 3. Në gjendje a në kushte të vështira ekonomike, në vështirësi, me zor; në gjendje të keqe shëndetësore; ngushtë, ligsht; kund. mirë. Keq e më keq. Gjithnjë e më keq. Keq e tukeq. Gjallë e keq. Rronin (jetonin) keq. Është (u bë) keq. Ra (mbeti) keq. Është keq nga veshët është i sëmurë nga veshët, nuk dëgjon mirë. E ka keq (një fëmijë) e ka të sëmurë rëndë. E ka (punën) keq nuk e ka në rregull (punën); është në rrezik a përpara pasojash të rënda. Më zuri keq. E ka mbajtur keq. E pa keq u gjend ngushtë, e pa pisk. S'jam keq për... s'kam nevojë për...
  • 4. Në një shkallë të lartë, shumë, fort; rëndë; në mënyrë të mjaftueshme; si duhet. E rrahën keq. U lodh (u lag, u plagos, u sëmur) keq. E do keq të birin. I ha keq shegët. E pinte keq rakinë. E shpartalloi keq. E ka zënë kolla keq. Ia punoi keq.
  • 5. Pa kënaqësi, jo me qejf; pa bujari, pa dashuri; kund. mirë. E priti keq.
  • 6. përd. em. Diçka e keqe, e keqja; dëm, vuajtje, fatkeqësi; merak; kund. mirë. I bëri keq dikujt. Të bën keq (alkooli). Ka hequr keq. Bëri mirë e gjeti keq. Mos paç keq! ur. Mos i paftë syri keq! ur. Ndikon për keq. Mendon për keq. E mori për keq e kuptoi jo drejt. E ka për keq ka paragjykimin se i sjell një fatkeqësi. S'e zinte në gojë as për mirë as për keq.
  • Sa keq! sa gjendje e keqe! Si mos më keq shumë keq. Mirë a keq ashtu si munda ose aq sa munda, ashtu si dita; në një farë mënyre. I doli keq pati pasoja të hidhura. E ka keq me dikë nuk është në marrëdhënie të mira me dikë, nuk i shkon fjala tek ai, nuk merret vesh mirë me të; nuk e do, e ka inat. S'e ka keq nuk është mendim i keq, nuk mendon keq, është diçka e arsyeshme. Mori për keq u keqësua (nga shëndeti etj.). Ka shkelur keq shih te SHKEL. Shkojnë keq grinden, zihen. Shtie keq shtie fitime. Më vjen keq hidhërohem, dëshpërohem a më ther në zemër, më dhimbset.
pFad - Phonifier reborn

Pfad - The Proxy pFad of © 2024 Garber Painting. All rights reserved.

Note: This service is not intended for secure transactions such as banking, social media, email, or purchasing. Use at your own risk. We assume no liability whatsoever for broken pages.


Alternative Proxies:

Alternative Proxy

pFad Proxy

pFad v3 Proxy

pFad v4 Proxy